UBT News

​Lirohet nga aparatura e frymëmarrjes vajza që u lëndua nga kulmi i komunës

Po bëhen 16 ditë prej kur një vajzë 23-vjeçare po trajtohet në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pas mori lëndime të rënda si shkak i shembjes së kulmit në ndërtesën e komunë së re të Prishtinës. Ndërkaq që nga ajo ditë pacientja ka qenë e varur nga aparatura mjekësore, mirëpo tashmë gjendja e saj është stabile.

Shefi i Mjekimit Qendror Intensiv në QKUK, Shaqir Uka, në një prononcim tha se pacientja është liruar nga aparatura mjekësore e frymëmarrjes dhe gjendja e saj është stabile. Uka shtoi se pacientja ka nevojë që të monitorohet dhe të vazhdojë trajtimin në mjekimin intensive, por që nuk potencoi një periudhë kohore.

“Pacientja të cilës ju i referoheni po vazhdon të qëndrojë dhe të marrë trajtimin mjekësor edhe më tutje në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare. Sa i përket parametrave vital prezantohet të jetë realisht stabile për momentin. Neve kemi arritur që ta lirojmë, pavarësojmë nga aparatura mjekësore e frymëmarrjes. Mirëpo, ajo ka nevojë edhe më tutje të monitorohet dhe të marrë trajtimin në njësinë e Mjekimit Intensiv edhe në ditët e ardhshme…Nuk mund të themi tash për tash edhe sa të plotë edhe sa ditë, por i duhet të qëndrojë edhe për një periudhë kohore”, tha ai.

Kujtojmë se më 18 janar, 23-vjeçarja mori lëndime të rënda si pasojë e shembjes së kulmit në ndërtesën e Komunës së re në Prishtinë. Ajo fillimisht u trajtua në Qendrën Emergjente në QKUK, pastaj u dërgua në Mjekimin Intensiv për të vazhduar trajtimin. Nga komuna u tha se dyshimet e para janë që shembja e kulmit ka ndodhur si shkak i erërave të forta atë ditë, derisa hetimet po vazhdojnë.

Exit mobile version