Radio Evropa e Lirë merr vesh se janë liruar tre zyrtarët policorë të Kosovës, të arrestuar nga autoritetet serbe më 14 qershor.
Sekretari i Parë i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka thënë të hënën në rrjetin social Facebook se tre zyrtarët kanë dalë të hënën para një gjykate në Kralevë.
Atyre u është caktuar masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk është ditur kohëzgjatja.
Prishtina ka pretenduar se ata janë kidnapuar nga territori i Kosovës, derisa Beogradi ka deklaruar se ata janë arrestuar në territorin serb.
“Çdo sekond i humbur deri në kthimin e tyre në Republikën e Kosovës, në krye të detyrave, konstituon një impuls dhe sjellje joracionale, me qëllim kamuflimin e një akti bizar”, ka thënë Haxholli përmes një postimi në Facebook.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar vazhdimisht lirimin e tyre pa kushte.