Autoritetet e Serbisë nisin të lirojnë qytetarët kosovarë të kalojnë kufirin në pikën kufitare Kroaci-Serbi, pas bllokimit me orë të tëra. Kështu ka bërë të ditur shoferi i një kompanie të autobusëve, Euron Llugaliu.
Qindra qytetarë shqiptarë kanë qenë të ndaluar që nga mbrëmë në pikën kufitare Kroaci-Serbi, mirëpo ende nuk dihet shkaku i saktë i gjithë kësaj situate. Ndonëse nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një komunikatë për media kanë thënë se e gjithë kjo ka ndodhur, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ende nuk dihet se kur do të lirohen të njëjtit.
Të shqetësuar me këtë gjendje ishin shoferet e autobusëve atje dhe qytetarët. Para hapjes së pikës kufitare, një prej vozitësve nga një kompani e autobusëve, sa kanë qenë të bllokuar në kufi, ka treguar për KosovaPress detaje lidhur me rastin, ku thotë se u janë konfiskuar dokumentet. Ai po ashtu ka thënë se nga pika kufitare atje ju është thëne se ka disa persona të dyshuar, porse nuk dihen shkaqet se për çfarë.
“Për çdo autobus të Kosovës që kemi ardhur këtu na kanë thënë se janë dy apo tre persona të dyshuar…Veç e kanë bërë që kishe të shohin prej ku vjen dhe ku do të shkojë…Prej orës 23:00 mbrëmë e deri tash (kemi mbet në kufi)…Asnjë pasagjerë nuk e kanë marrë, të gjithë siç kanë qenë janë…Letërnjoftimet na kanë marrë të gjithëve dhe jemi në pritje të tyre.. Nuk e dimë se çfarë po bëhet, është shumë keq për neve, sepse ka mbaruar edhe ushqimi tashmë”, tregon ai.
Në anën tjetër, sipas njoftimit të MPJD-së, thuhet se , institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.
Të njëjtit derisa kanë apeluar qytetarët tjetër që t’i shmangin këto pika kufitare kanë theksuar se, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas. Sipas kësaj ministrie, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.
Përveç reagimeve nga Institucionet shtetërore, reagime pati edhe nga komuniteti i biznesit, të cilët apeluan tek qeveria që qytetarëve të bllokuar atje t’u ofrohet mbrojtje dhe mbështetje.