UBT News

Lirohen 64 ukrainas dhe një amerikan në këmbimin e të burgosurve me Rusinë

Kievi tha më 14 dhjetor se kishte siguruar lirimin e 64 trupave ukrainase dhe një qytetari amerikan në këmbimin e fundit të të burgosurve me Moskën.

“Janë 64 ushtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, që luftuan në Donjeck dhe Luhansk – veçanërisht në mbrojtjen e Bakmutit – që po kthehen në shtëpi. U bë gjithashtu e mundur që të lirohet edhe një shtetas amerikan, i cili ndihmoi popullin tonë – Suedi Murekezi”, shkroi në mediat sociale Andriy Yermak, shef i zyrës së presidentit të Ukrainës.

Ukraina dhe Rusia kanë këmbyer një numër të madh të të burgosurve të luftës, që nga nisja e saj në shkurt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha në fillim të dhjetorit se mbi 1 mijë e 300 të burgosur janë kthyer në Ukrainë, që kur trupat ruse nisën pushtimin e vendit.

Në një takim me Kryqin e Kuq në tetor, Rusia tha se mbante rreth 6 mijë robër lufte ukrainas. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Exit mobile version