UBT News

“Liria ka Emër” paralajmëron “Marshin për Liri” më 12 shtator në Prishtinë

Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë “Marshin për Liri”, nën moton “Kosova po pret”.

Marshi do të mbahet katër ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet të zhvillohet seanca përmbyllëse e procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë prezantuar aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe do ta pasojnë marshin.

Hoxha ka thënë se platforma, së bashku me qytetarët, për gjashtë vjet ka kërkuar një proces të drejtë gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së. Ajo ka theksuar se mbështetja do të vazhdojë pa paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe pa ndërhyrë në procesin gjyqësor.

Sipas saj, aktivitetet nisin me një numërim mbrapsht deri më 16 shtator, i cili do të vendoset në Prishtinë dhe do të shtrihet edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Platforma ka paralajmëruar edhe aktivitetin “Netët e Lirisë”, i cili do të organizohet në shtatë zonat e UÇK-së dhe do t’i kushtohet kujtesës, historisë dhe sakrificave për liri.

Ndërkohë, Ismail Tasholli u ka bërë thirrje liderëve të katër partive kryesore shqiptare që t’i bashkohen marshit. Ai ka përmendur Albin Kurtin, Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin, duke kërkuar që të marrin pjesë jo në funksion të fushatës partiake, por “për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”.

“Liria ka Emër” ka paralajmëruar gjithashtu një aktivitet në Hagë më 16 shtator, në bashkëpunim me diasporën shqiptare.

Sipas organizatorëve, mesazhi i aktiviteteve në Prishtinë dhe Hagë do të jetë i njëjtë: “Kosova po pret”./A.K/

Exit mobile version