Platforma qytetare “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet të shtunën, më 12 shtator, në orën 14:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë bërë të ditur se në marsh janë ftuar liderët e katër partive parlamentare shqiptare. Sipas tyre, pozitivisht janë përgjigjur vetëm kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe ai i AAK-së, Ardian Gjini.
Në aktivitet pritet të ketë edhe fjalime nga përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe këngë patriotike.
Organizatorët kanë njoftuar gjithashtu se është siguruar transport me autobusë nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe kanë bërë thirrje që qytetarët të marrin pjesë së bashku me familjet.
Marshi zhvillohet pak ditë para shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, më 16 shtator në Hagë./A.K/
