Lira turke ka rënë në një rekord të ri të ulët, kjo po ndodhë në mes të frikës se banka qendrore do të bëjë një ulje të mëtejshme të normave të interesit më vonë këtë javë, përcjell UBT News.
Në një moment, lira ra gati 7% në pak më pak se 15 për dollarin, por u rikuperua pasi banka ndërhyri në treg për ta mbështetur atë.
Monedha tani vlen sa rreth gjysma e vlerës së saj në fillim të vitit.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan e ka shtyrë bankën qendrore të vazhdojë të ulë normat, pavarësisht rritjes së inflacionit.
Ekonomistët e anketuar nga Reuters presin që Banka Qendrore Turke të ulë normën e saj kryesore të interesit nga 15% në 14% të enjten.
Presidenti dhe aleatët e tij argumentojnë se normat e ulëta të interesit do të nxisin eksportet, investimet dhe vendet e punës turke. Por shumë ekonomistë thonë se ulja e normave është e nxituar apo e pamatur.
Muajin e kaluar, norma e inflacionit në vend arriti në 21.7%.
Viktoria Craig e BBC-së në Stamboll thotë se shoferët e taksive, shitësit e ushqimit dhe klientët e hoteleve kanë shprehur të gjithë habinë dhe zemërimin e tyre teksa shohin se vlera e parave në kuletën e tyre po bie nga dita në ditë.
Normalisht, bankat qendrore rrisin normat për të luftuar çmimet në rritje, por presidenti Erdogan i ka quajtur këto veprimtari si “nëna dhe babai i çdo të keqeje”.
Megjithëse banka është përpjekur të forcojë vlerën e lirës duke përdorur rezervat e saj në dollarë për të blerë monedhën, analistët thonë se ajo nuk ka fuqi të mjaftueshme për të ndaluar rënien./UBTNews/