Kompania teknologjike amerikane Microsoft tha se do ta mbyllë rrjetin e saj social LinkedIn në Kinë, për shkak të ashpërsimit të rregullave nga Pekini.
Rrjeti i karrierës tha përmes një blogu se është përballur me një “mjedis shumë më sfidues të funksionimit në Kinë dhe me kërkesa më të mëdha të pajtueshmërisë”.
LinkedIn tha se do ta zëvendësojë platformën e tij në Kinë me një aplikacion të ri, të quajtur InJobs, i cili do t’iu ofrojë “ndihmë profesionistëve në Kinë për të gjetur punë në Kinë dhe kompanive kineze për të gjetur kandidatë cilësorë”.
Aplikacioni i ri nuk do të përfshijë mundësinë për të shkëmbyer postime ose artikuj.
Rregullatorët kinezë kanë rritur mbikëqyrjen në internet, duke kërkuar kontroll më të madh mbi algoritmet që përdoren për të personalizuar dhe rekomanduar përmbajtjen.
Microsoft e ka blerë LinkedIn-in në vitin 2016 dhe ka punuar për të rritur praninë në Kinë, pavarësisht shqetësimeve për censurën në internet.
LinkedIn thotë se ka më shumë se 54 milionë anëtarë në Kinë.
Gjiganti tjetër i teknologjisë Google është tërhequr nga Kina në vitin 2010, pasi Qeveria kineze ka nisur t’i censurojë rezultatet e kërkimit.
Platforma të tjera të mediave sociale me qendër në SHBA, të tilla si Facebook dhe Twitter, janë të bllokuara në Kinë.