Ministria e aviacionit të Nigerisë thotë se është duke “punuar fort” për të liruar fondet e bllokuara për linjën ajrore Emirates pasi kompania pezulloi fluturimet për në Nigeri duke filluar nga muaji i ardhshëm.
Emirates njoftoi në një deklaratë se ka pezulluar operacionet e fluturimeve brenda dhe jashtë Nigerisë për shkak të pamundësisë së saj për të riatdhesuar fondet nga vendi i Afrikës Perëndimore.
Linja ajrore tha se nuk ka pasur “asnjë përparim” nga autoritetet nigeriane për një zgjidhje.
“Emirates ka provuar çdo rrugë për të adresuar sfidat tona të vazhdueshme në riatdhesimin e fondeve nga Nigeria dhe kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për të nisur dialogun me autoritetet përkatëse për ndërhyrjen e tyre urgjente për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Për keqardhje nuk ka pasur asnjë përparim”, tha Emirates në një deklaratë.
Kompania ajrore tha se nuk mund të hynte në fondet e saj që arrijnë në 85 milionë dollarë të mbajtura në vend. Fondet e ngecura ishin rritur me mbi 10 milionë dollarë çdo muaj, tha linja ajrore në një letër drejtuar ministrit të Aviacionit të Nigerisë, Hadi Sirika.
“Qeveria po punon shumë për të siguruar që këto para të lirohen, jo vetëm për Emirates por të gjitha linjat ajrore të prekura”, shtoi Sirika.
Sirika shtoi se “do të vendosen mekanizma për të siguruar që kjo të mos ndodhë në të ardhmen”.
Ministri nuk shtjelloi se cilët ishin faktorët, megjithëse Nigeria po përballet me mungesa në valutë të huaj, gjë që ka kufizuar aksesin në valutë të huaj për importe.
Nigeria është një nga tregjet më të mëdha të Afrikës për transportuesit ndërkombëtarë./UBTNews/