Nga Musa Sabedini
Sulmi i infermiereve ndaj një nëne të moshuar e me probleme shëndetësore është gjykuar pothuajse masovikisht nga publiku i ndjeshëm. Kuptohet jo të gjitha komentet, opinionet dhe sidomos ky vërshimi në rrjetet sociale e kishte kuptimin e mbrojtjes së viktimës apo solidarizimin me të.
Fyerje, kërcënime, linçime publike, thirrje për vrasje e plumb në ballë, janë vetëm dëshmi se jemi katandisur keq për të arritur te suksesi dhe fitorja e dëshiruar. Linçimet publike duhet të zëvendësohen me një ofensivë vetëdijesimi për të gjitha kategoritë. Mediet nuk janë treguar të kujdesshme as në këtë rast, duke u dhënë përparësi paragjykimeve kriminale, që vijnë kryesisht nga rrjetet sociale.
“Shtrigë”, “Kriminele”, “Kurvë”, “T`i meriton veç plumb në lul të ballit”, “Monstër”, “Krijesë e poshtër”, janë disa nga termet që kam hasur në reagimet publike, që ndodhën pas sulmit fizik të infermiereve, ndaj një nëne të pambrojtur.
E respektoj revoltën e arsyeshme të familjarëve të afërt, rrethit të saj, por është e palogjikshme që në tërë këtë Odisejadë fyerjesh e kërcënimesh të marrin yrysh njerëzit me ndikim në publik duke mos zgjedhur as fjalor, as fjalitë e ndyta e të rënda drejtuar infermiereve.
Ajo që më brengos edhe më shumë është inkuadrimi me dashje ose pa të në këtë valle nga ana e portaleve dhe në përgjithësi të medies online. Çfarë rëndësie ka pse paska reaguar një artist a këngëtar dhe në shkrimin e tyre ose të saj sheh veç helm, vrer e akuza me paragjykime kriminale.
Mediet nuk duhet të jenë pjese e kësaj kampanje ekstreme të dëmshme për Etikën dhe Gazetarinë Profesionale. Mediet në përgjithësi duhet të angazhohen në rastet kur hesht policia, prokuroria apo Gjykata. Në këtë rast institucionet e kryen punën e vet, tani është koha të presim me durim e maturi, të shohim të gjitha rrethanat.
E kemi gjykuar masovikisht këtë rast dhe shpresoj se është një ngjarje që do u shërbej të gjitha grupeve e kategorive që merren me këtë problem. Por nuk guxojmë ta orientojnë këtë shfrenim masiv në linçim publik për hakmarrje e vrasje. Me ligjet në fuqi thirrja për vrasje është e sanksionueshme dhe po befasohem pse Prokuroria nuk ndërhynë në këto raste.
Lëre që nuk po respektohet Etika nga portalet dhe lëre që kodi gazetaresk dhe etik po anashkalohet, e keqja që gjërat dhe detajet ekstreme po përkrahen.
Kam lexuar edhe nëpër portale të ndryshme terme me natyrë kriminale. Në secilën fazë të procedurës të dyshuarat janë vetëm të dyshuara, dhe në vend të fjalës kriminele thoni shqip “Keqbërëse”, “E pa edukatë”, “Jo e kulturuar”, “E pa shpirt”, “E pa njerëzishme”. Thjeshtë jo pse po tentojë ta zbusni fjalorin, por të përshtatet në rrethana të tilla është e lejueshme.
Pajtohem plotësisht për botimin e videos sepse po të mos ishte bërë publike videoja kurrë asnjë polici apo prokurori nuk kishte nisur hetime. Insistoj gjithmonë që reagimet e masës të jenë të “kontrolluara” për botime publike. Mos i jepni hapësirë gjithkujt, e aq më pak atyre që në familjet e tyre e kanë gjendjen katastrofë.
Publikoni ose jepni mesazhe me natyrë profesionale, edukative, jepni raste e shembuj që ndikojnë pozitivisht në gjeneratat e reja dhe mos harroni se ato infermiere janë të dikujt, ato kanë familje dhe çdo spekulim apo gjuhë denigruese nuk i ndihmon asnjë procesi hetimor.
Emocionet në gazetari nuk kanë vend, në vend të tyre parapëlqej edukimin e masës me fakte dhe argumente.
(Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT)