Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se zgjidhja përfundimtare nuk varet vetëm nga partia e tij, por edhe nga të tjerët. Ai u shpreh i bindur se shpejt do të formohen institucionet, por shtoi se duhet të ketë marrëveshje politike.
Kreu i Nismës tha se secili subjekt politik e ka përgjegjësinë dhe se “secili subjekt politik e ka në agjendë të shterojë alternativa të ndryshme”.
“Tani më, tash e sa kohë janë zhvillimet e njëjta. S’ka dilemë që qytetarët e Kosovës presin sa më shpejt formimin e institucioneve. Unë besoj që dalëngadalë po afrohet koha dhe besoj shumë shpejt Kosova do t’i ketë institucionet e veta. Shpresoj secili subjekt politik e ka një agjendë të vetën për t’i shteruar alternativat e ndryshme. Ajo që është e qartë është se duhet të ketë një marrëveshjeve politike, e cila do t’i jap Kosovës institucionet, edhe në parlament edhe në qeveri.” është shprehur Limaj.
Ndërsa përmendi edhe takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjet lokale.
“Takimet kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Sot e kemi edhe me presidenten dhe besoj që takimet e tilla janë lajme të mira kudo që ndodhin, pavarësisht se nga kush thirren. Për faktin që shihet që është një përpjekje për të gjetur zgjidhjen, besoj që do të ketë pjekuri të mjaftueshme që në një moment të caktuar të vijmë edhe te zgjidhja. Nisma është e gatshme për të dhënë kontributin e vet dhe të jetë e përgjegjshme, të ofrojë zgjidhje mbi bazën e fuqisë politike dhe mundësisë tonë politike, secili subjekt merr përgjegjësinë e vet, ne si parti politike jemi pozicionuar kemi dëshirë që të ofrojmë zgjidhje duke parë nevojën që të kalohet kjo krizë. Edhe a do të jetë kjo zgjidhje përfundimtare, nuk varet më nga vetëm ne, varet edhe nga të tjerët”, shtoi Limaj.