UBT News

Limaj: Thaçi dhe të akuzuarit tjerë do ta mbrojnë në mënyrë dinjitoze luftën e UÇK-së

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Limaj shpreh besimin e plotë se Thaçi dhe të gjithë të akuzuarit tjerë, luftën e UÇK-së do ta mbrojnë në mënyrë dinjitoze dhe në fund do të dalin faqebardhë nga ky proces.

Kryetari i Nismës deklaroi se është momenti i fundit të tregojnë unitet dhe t’i vendosin interesat e shtetit mbi interesat individuale.

“Sado të rënda të jenë padrejtësitë kundër fateve individuale dhe kolektive që janë bërë dhe po bëhen ndaj luftëtarëve të lirisë, ne duhet të tregojmë lidership të vërtetë në këto rrethana të vështira për shtetin tonë. Është moment i fundit që t’i bashkërenditim veprimet tona që të dëshmojmë se vërtet interesat e shtetit tonë i vëmë mbi interesat individuale. Bashkërenditja e politikave tona në këto momente shumë të rëndësishme do të dërgonte një mesazh të qartë te qytetarët dhe te miqtë tanë ndërkombëtarë që ia duan të mirën shtetit të Kosovës. Vetëm të bashkuar dhe duke vënë në rend të parë interesat e shtetit të Kosovës, ne do t’i përballojmë me dinjitet të gjitha sfidat me të cilat jemi të ballafaquar”, shkroi Limaj në Facebook./UBTNews

Exit mobile version