UBT News

​Limaj: Qeveria Kurti duhet të shkarkohet, jo të shpërbehet Kuvendi

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Qeveria Kurti duhet të shkarkohet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme dhe jo të shpërbëhet Kuvendi. Limaj u ka bërë thirrje deputetëve që të mos e shkarkojnë veten, pasiqë sipas tij në këtë formë administrohet keqqeverisja e kryeministrit Kurti.

Ish-deputeti Limaj tha se Kurti ka dështuar në secilin sektor, andaj duhet të jap dorëheqje ose të shkarkohet nga deputetët.

“Kur keni dështime në të gjitha planet, në planin social, planin e brendshëm ekonomik, ka dështime në diplomaci, në çdo sektor të zhvillimit ekonomik. Sot arsimtari dhe punëtori i shëndetësisë jeton shumë më keq sesa para katër vjetëve, shporta familjare është dyfishuar. Rrogat nuk kanë lëvizur, kurse gjendja sociale në shoqëri, polarizimi dhe përplasjet kanë arritur në shkallën më të lartë. Largimi i njerëzve dhe fuqisë aktive të punës e shohim si faktor dhe në situata të tilla duhet dikush të marrë përgjegjësinë. Përgjegjësinë e merr ai që e drejton vendin, ata që e duan vendin dhe janë të përgjegjshëm para atyre që kanë votuar japin dorëheqje. Nëse s’ka nivel të tillë të sensit të përgjegjësisë shkohet në një rrugë tjetër, mblidhen deputetët dhe shkarkojnë. Këto janë dy rrugë që i bënë demokracia dhe njihet në sistemin demokratik. Sot tendenca që të mos bëhet askush përgjegjës për këtë situatë është skandaloz. Ne e mbështesim këtë rrugë që e ka iniciuar Aleanca, çdo rrugë tjetër është me i ikë përgjegjësisë dhe me amnistua dhe kjo është me zgjatë agoninë dhe keqmenaxhimin. Apeli jonë është që i ftoj të gjithë deputetët që mos te marrin përgjegjësinë që s’iu takon. Askund në botë deputeti nuk e shkarkon vetën. Bashkohuni dhe shkarkoni”, tha ai.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Limaj tha se është e trishtueshme rruga që e ka ndjekur kryeministri Kurti.

“Është e trishtueshme se me sa lehtësi dhe papërgjegjshmëri sillen ata që flasin në emër tonin. Është e trishtueshëm me i pa diplomatët ndërkombëtar që tash nuk e fshehin. Ata që ne na prezantojnë si negociator ne i quajmë si gënjeshtar dhe mashtrues, fatkeqësisht tash e disa herë ka ndodhur nga Brukseli t’i shohim kështu ata që na përfaqësojnë neve si negociator. Kjo është një arsye shtesë për t’u alarmuar dhe për të lanë mërit anash. Tani është koha për racionalitet, pjekuri që dikur mund të bëhet vonë. Ashtu dëmi është bërë dhe jemi të vonuar dhe koha është për ndryshime të mëdha”, theksoi Limaj.

Këto komente i bëri ai pasi prezantoi aderimin e ri në parti, doktor Murtez Zekolli. Zekolli para mediave tha se angazhimi në Nisma është për shkak të nevojës për ndryshim në Kosovë.

“Jam i pakënaqur me gjendjen që gjendet Kosova në këto momente dhe dëshirojë të jap kontribut për vendin tim, çfarë kontributi përpos aktivitetit politik. Unë kam vendosur që përmes këtij subjekti politik të ndryshojmë gjendjen në Kosovë. Besoj se Kosova se ka merituar këtë gjendje që e ka sot”, deklaroi Zekolli.

Kryeministri Albin Kurti para dy ditësh ka takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi me të cilin kanë diskutuar edhe mundësinë për zgjedhje të parakohshme. Kurti ka takuar edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa dhe Donika Gërvallën nga iniciativa Guxo, por ftesën për takim e kanë refuzuar nga LDK dhe AAK. Kurti po kërkon që në zgjedhje të shkohet duke e shpërbërë Kuvendin, me të cilët janë të pajtimit edhe në PDK, por LDK dhe AAK po kërkojnë që së pari Kurti të jap dorëheqje dhe pastaj të shpërbëhet Kuvendi.

Exit mobile version