Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar para mediave se ngërçi aktual politik në Kosovë mund të tejkalohet vetëm përmes dialogut dhe marrëveshjeve ndërmjet partive politike. Ai theksoi nevojën për përgjegjësi nga të gjitha palët për të dalë nga kjo situatë.
Limaj tha se aktualisht nuk ka aktorë të rinj politikë në skenë dhe se forcat politike që janë tani duhet të gjejnë rrugën përmes bisedimeve.
“Secili duhet t’i thërras ndërgjegjes që kjo situatë të përfundojë. Kosova ka shumë punë përpara, vendi ka nevojë për qeveri funksionale, projekte dhe përparim,” shtoi ai.
Ai vuri në dukje se Nisma Socialdemokrate është e gatshme të japë kontributin e saj, por për momentin nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për të dhënë propozime në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Përgjegjësia kryesore mbetet në duart e forcave më të mëdha politike,” përfundoi Limaj.