UBT News

Limaj konfirmon pjesëmarrjen në takimin me Kurtin, rithekson nevojën e arritjes së një marrëveshje politike

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e nesërm të ftuar nga lideri i LVV-së, Albin Kurti.

Limaj, para fillimit të seancës konstituive e cila po mbahet për herë të 38-të, tha se aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për krizën politike në Kuvend tregon nevojën dhe domosdoshmërinë e arritjes së një konsensusi dhe marrëveshje politike për zgjedhjen e trupave të Kuvendit.

“Gjykata thotë uluni, bashkëbisedoni, tentoni të krijoni konsensus ose marrëveshje politike. Çështja ka mbetur këtu dhe këtu ka qenë edhe dje. Asnjë zgjidhje tjetër…(Pjesëmarrja në takim me Kurtin )Sigurisht se po…Duhet marrëveshje politike ashtu si në cdo demokraci të qytetëruar. Në këtë drejtim Nisma është e hapur”, tha ai.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar ndaj aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri në detyrë, Kurti ka thënë se aktgjykimi thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.

Kurti ka ftuar të gjithë krerët e subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00.

“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.

Exit mobile version