Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj tha mësimi do të zhvillohet në shkolla në gjysmëvjetorin e dytë.
Likaj gjatë publikimit raportit mbi mbarëvajtjen e mësimit në pandemi nga Instituti EdGuard, shtoi se prezenca në shkolla ka treguar efekt më të madh. Ai ka bërë të ditur se secila shkollë do të ketë nga një pedagog dhe psikolog.
“Mësimi vazhdohet në objektet shkollore për gjysmëvjetorin e dytë sepse efekti është më i madh dhe kemi numër të ulët të të infektuarve. Prezenca në shkollë ka treguar efekt më të madh. Secila shkollë ta ketë një pedagog e psikolog. Është situatë që edhe për mësimdhënës ka qenë e vështirë. Ne duhet të jemi të bashkuar. Të evidentojmë të metat e këtij procesi, dhe të përmirësojmë këtë gjendje që ka prekur të gjithë, sidomos sistemin e arsimit. Ofroj bashkëpunim për të gjithë. Mësimdhënësit janë heronj dhe e kanë treguar veten”, deklaroi Likaj.
I pyetur se si do ta zënë hapin e humbjes së mësimit, Likaj ka thënë se është në liri të plotë të shkollave që katër ditët e humbura të kompensohen të shtunave.
“Është paraparë përmes një udhëzimi të shkurt. Nuk do të këtë pushim pranveror. Është paraparë edhe koha e testit të maturës”, shtoi ai më tej.
Ai ka thënë se rrethanat kanë qenë të vështira për të gjithë, por që të gjithë skenarët kanë funksionuar mjaft mirë, raporton EO.
“Ju njoftoj që shumica e shkollave kanë punuar në skenarin A. Në skenarin C i kemi vetëm 34 shkolla që e kanë mbajtur mësimin online. Plani mësimor është realizuar në masën më të mirë të mundshme. Ne i kemi humbur katër ditë mësimi. Jemi të shqetësuar me infektimet, por e kemi përballuar mirë. DKA po ashtu ka bashkëpunuar me neve dhe kemi paraparë një udhëzues se si të veprohet gjatë këtij pushimi dimëror. Qasja në mësim ka qenë problem. Sot do të shpërndahen rreth 800 tabletë për fëmijët me nevoja të veçanta e atyre të familjeve në nevojë në bashkëpunim me UNICEF”, deklaroi ai.