Ligjvënësit evropianë u bënë thirrje zyrtarëve të BE-së të bojkotojnë Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 në rast se Kina nuk angazhohet për përmirësimin e të drejtave të njeriut në Hong Kong dhe për pakicën myslimane ujgure.
Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë e cila kërkon nga zyrtarët e institucioneve të BE-së dhe të shteteve anëtare “të refuzojnë ftesat për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 nëse qeveria kineze nuk demonstron përmirësim në situatën e të drejtave të njeriut”.
Rezoluta kishte mbështetjen e të gjitha grupeve kryesore politike.
Eurodeputetët theksuan “nevojën që BE të ndërmarrë veprime urgjente dhe të vendosura” dhe i bënë thirrje Brukselit të hartojë një valë të re sanksionesh kundër autoriteteve kineze.
Zyra e Komisionerit të Kinës në Hong Kong kritikoi votimin duke thënë se ai është “një pengesë për bashkëpunimin midis Kinës dhe BE-së”.
Kina ka miratuar një ligj të ri të sigurisë për Hong Kongun përmes së cilit ka arrestuar protestues pro-demokracisë dhe zëra kritikë në rajon.
Ligji, që është kritikuar ndërkombëtarisht, i kthen në vepra penale: thirrjet për shkëputje të territorit, terrorizmin, bashkëpunimin me forcat e huaja dhe përfshin edhe ndëshkimin për burgim të përjetshëm.
Autoritetet në Pekin dhe Hong Kong, kanë thënë se legjislacioni ka qenë i nevojshëm për të sjellë stabilitet, por kritikët besojnë se ai synon të heshtë disidentët.
Hong Kongu është pjesë e Kinës, mirëpo funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”, çka nënkupton se ky qytet ka sistemin e vet ligjor dhe të drejtat, që përfshijnë atë për liri të shprehjes dhe liri të shtypit.
Kohët e fundit, Kina po përballet me kritika dhe sanksione ndërkombëtare për ndalimin e më shumë se 1 milionë ujgurëve dhe pakicave tjera myslimane në rajonin e Ksinjiangut.
Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur termin gjenocid në përshkrimin e ngjarjeve atje.
Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1 milion pjesëtarë të këtyre grupeve etnike janë arrestuar dhe janë dërguar në qendra të mbajtjes.
Kina thotë se ato janë “qendra kundër-ekstremizmit” dhe shërbejnë si objekte të “arsimit profesional” që synojnë të ndihmojnë njerëzit të largohen nga terrorizmi dhe t’i lejojnë ata të riintegrohen në shoqëri.
Por, komuniteti ndërkombëtar ka thënë se në ato kampe këta njerëz bëjnë “punë të detyruar” dhe trajtohen në mënyrë çnjerëzore./REL