Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me komunat, ka diskutuar për Ligjin e ri për Pyjet.
Drejtori i Departamentit të Pylltarisë në këtë ministri, Tahir Ahmeti tha se Ligji do t’i zgjidhë problemet që janë shfaqur për menaxhimin e tokës pyjore.
Ligji paraprak, sipas tij, ka kufizuar shfrytëzimin e tokës në pesë hektarë, por edhe kohëzgjatjen e lejeve, ndërsa, me Ligjin e ri, Ahmeti thotë se këto çështje janë rregulluar në interes edhe të palëve të interesit, por edhe në interes të ruajtjes së tokës pyjore, përkatësisht menaxhimit më efikas të saj.
Ahmeti tha se ka pasur nevojë që të ndryshohet, të plotësohet, të harmonizohet edhe me ligje të tjera dhe me interesa të qytetarëve dhe të pronarëve të pyjeve, dhe të afaristëve, pasi që me këtë ligj rregullohet menaxhimi i diku 460 mijë hektarëve tokë në Republikën e Kosovës ose gjysma e sipërfaqes apo 270 mijë hektarëve tokë publike.
“Ligji paraprak nuk e përcaktuar pronësinë, kanë mbetur emërimet e vjetra. Janë disa pyje pa pronarë legjitim. 276 mijë hektarë kanë mbetur pronë e shtetit. Në aspektin kohor ka ndryshim. Me ligjin e ri, kontratat mund të jenë deri në 10 vjet e jo 1 vjet. Ministria ka përgjegjësi edhe pas kontraktimit. Neve na ka mbetur ta vendosim se si ta zbatojmë këtë ligj. Të kemi një plan të veprimit”, tha ai.
Ahmeti ndër të tjera tha se Ligji për Pyjet me ndryshime ka marrë deklaratën financiare dhe të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.