Johnny Thompson
Punoja dikur me dikë që ishte tepër e bezdisshme, dhe do t’ju tregoj pse. Së pari, nëse do të thosha diçka – çfarëdolloj gjëje – ky person do të përpiqej të gjente çikërrimën më të vogël dhe më të parëndësishme për të të “korrigjuar”. Nëse nuk mund të sajonte çikërrima, do të buzëqeshte dhe do të tundte kokën, sikur të donte t’i thoshte zyrës se ajo që ti the ishte aq e vetëkuptueshme, sa që as edhe një praktikant budalla nuk do ta thoshte.
Disa njerëzve u pëlqen të kenë të drejtë. E duan edhe më shumë kur të gjithë e dinë se kanë të drejtë. Në çdo vend, ka pothuajse gjithmonë një pjesë të njerëzve që dëshirojnë të shihen si më të mirët. Duan që të tjerët të ngazëllehen nga inteligjenca e tyre superiore ose nga vitet e tyre të urtësisë, së fituar me vështirësi. Kështu që, për disa vite, e lija kolegen time të më korrigjonte dhe zemërohesha gjithnjë e më shumë dhe në mënyrë të paarsyeshme me sjelljen e saj. Por pastaj një ditë kuptova se si ta “vija përfund”. Nisa të thoja marrëzira.
“A nuk ishte ky një film i Tarantinos?” e pyesja kur i flisja për Avatarin. “Jam shumë i sigurt se është një lloj peshku,” i thosha kur flitej për një delfin. “Sigurisht, shpretka është organi më i madh në trup,” ia hidhja llafin rastësisht.
Me kënaqësi të madhe, shikoja “armiken” time patronizuese të përçartej dhe të mbytej nga nxitimi për të më korrigjuar. Nuk ka asgjë më argëtuese sesa tërbimi i dikujt që përpiqet të të tregojë pse e ke gabim.
Ligji i Cunningham-it
Me kalimin e kohës, kuptova se ajo që po bëja ishte një mënyrë e shkëlqyer për të gjetur informacione. Në vend që t’i bëja një pyetje koleges time – ose dikujt tjetër -, vura re se shpesh ishte më e lehtë të shtiresha sikur kisha njohuri për një fakt të gabuar. Shumica e njerëzve nuk mund të durojnë që një pohim i pasaktë të mos korrigjohet. Dhe, shpesh, teksa përpiqen të të kthejnë në “rrugën e duhur” të informacionit, ata do t’ju lëshojnë një përrua erudicioni. Do të merrni një përgjigje shumë më të mirë, sesa do të merrnit nëse thjesht do të pyesnit.
Ky njihet si “Ligji i Cunningham-it”. Ka marrë emrin e Ward Cunningham, i cili zhvilloi një pjesë të madhe të softuerit që përdoret tani në faqet e internetit të tipit wiki (ndër të cilat Wikipedia është shembulli më i madh). Ligji i Cunningham-it është vëzhgimi se mënyra më e mirë për të marrë një përgjigje të mirë ose të drejtë është të mos bësh pyetje; por të postosh një përgjigje të gabuar. Pra, nëse doni të dini shkaqet kryesore të Luftës së Parë Botërore, shkoni e futuni në një forum mbi historinë dhe postoni: “Lufta e Parë Botërore u shkaktua e gjitha nga britanikët”. Uluni, merrni ca kokoshka dhe prisni të vijnë me furi korrigjimet e njerëzve të zemëruar – por ndoshta të informuar.
Nëse shkoni në Reddit, Twitter ose ndonjë faqe të madhe në Facebook, shkruani çfarëdo marrëzie të keqinformuar dhe sipërfaqësore që dëshironi dhe shikoni se çfarë xhevahirësh do të merrni.
Vërshim Sokratik
Filozofi i lashtë grek, Sokrati, e bënte shpesh. Ai ulej në një stol publik dhe fliste me këdo që i ndodhej pranë. Shpesh i hapte dialogët e tij duke paraqitur një argument të rremë ose me të meta dhe largohej prej andej. Pajtohej me ironi me çdo gjë që thoshte bashkëbiseduesi i tij, por më pas do të ngrinte një pyetje në dukje të padëmshme për ta sfiduar atë pozicion.
Për shembull, në dialogun e quajtur “Meno”, Sokrati eksploron idenë e virtytit. Sokrati vazhdon me atë që thotë miku i tij, Meno, duke shpresuar se do të nxjerrin një zbulim të mëtejshëm në udhëtimin e tyre bisedor. “Mirë, le të themi se virtyti mund të mësohet…”, thotë Sokrati. Pastaj, duke ngritur pyetje të mençura, ai do të vazhdojë të zbulojë pse kjo është e gabuar. Ironia sokratike është situata, ku ju pretendoni të jeni injorantë për diçka, në mënyrë që të merrni qartësi më të madhe rreth saj. Me pak fjalë, është pak a shumë si Ligji i Cunningham-it.
Mjerisht, për Sokratin, kjo nuk ishte më argëtuese në Greqinë e lashtë sesa sot, dhe kështu ai u dënua me vdekje (dhe piu helmin). Në dukje ndodhi prej ateizmit dhe “korruptimit të rinisë”, por me siguri e vërteta është që u dënua sepse goditi arinjtë e gabuar (dhe i bëri arinjtë të dukeshin budallenj).
Të vetëstërvitesh
Trajnimi është, në thelb, një term tërheqës për çdo strategji me anë të së cilës mund të nxjerrësh përgjigje nga dikush.
Duke pyetur dikë: “Si mendon se mund të jesh më i mirë në punën tënde?”, ti ndesh me shikime të zbrazëta. Por nëse pyet: “Cilat pengesa po ju pengojnë të jeni të shkëlqyer?” ose “Kush mendoni se është i shkëlqyer në punën e vet dhe si e bën?” ju keni më shumë gjasa të merrni përgjigje më të mira.
Ligji i Cunningham-it është një shembull. Është një mënyrë për të hyrë në njohuri kur dera e përparme është e bllokuar dhe e mbyllur. Ja dy mënyra se si mund të përdorni Ligjin e Cunningham-it:
Opsioni i keq: A keni qenë ndonjëherë në një grup ku askush nuk mund të vendosë se çfarë vendimi të marrë, dhe kështu ju rrini pezull në një harresë të vështirë? “Në cilin restorant të shkojmë?” – nuk merr asgjë përgjigje. Në vend të kësaj provoni të thoni, “Shkojmë tek McDonald’s” dhe do të shihni se si të tjerët kundërshtojnë dhe më pas, vazhdoni të ofroni ide të tjera.
Hedhja e monedhës: Nëse nuk jeni i sigurt për ndonjë vendim për jetën – si “A duhet ta lexoj këtë libër apo atë tjetrin?” ose “A duhet ta lë punën time apo jo?” – bëj një hedhje monedhe. Nëse bie kokë bëni X, nëse bie pil, bëni Y. Në fakt nuk do të jetoni sipas vendimit të monedhës, por duhet të mbani shënim reagimin tuaj ndaj çfarëdolloj rezultati që ka ardhur prej saj. Ishe i mërzitur kur ra? U ndiet të lehtësuar? Është një mënyrë e mirë për të nxjerrë mendimet tuaja të vërteta për një temë.
Ligji i Cunningham-it është një fenomen psikologjik interesant, dhe është ai që mund të përdoret për përfitime të mëdha. Nga marrja e përgjigjeve të detajuara nga ekspertët në internet deri te ndriçimi i ndonjë dëshire të pavetëdijshme, ndonjëherë shtirja si budalla ka përfitimet e veta. / Big Think – Bota.al