UBT News

Ligjëratë nga Liburn Aliu në UBT mbi “Planin Zhvillimor Urban të Prishtinës”

Në kuadër të modulit të përbashkët me temën “Integrimi i lumit në hapësira publike”, studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, së bashku me ata nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara “Technische Hochschule Lübeck” të Gjermanisë, pritën  në UBT ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliun, i cili mbajti një ligjëratë tematike.

Ministri Aliu para studentëve prezantoi temën “Planifkimi i qytetit dhe plani zhvillimor urban i Prishtinës”. Ai theksoi rëndësinë e integrimit të hapësirave publike me mjedisin natyror, duke shpjeguar se si kjo mund të kontribuojë në një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.

Gjatë prezantimit, Aliu ndau edhe shembuj konkretë të projekteve që po zhvillohen në Prishtinë dhe sfidat me të cilat përballen autoritetet lokale në menaxhimin e hapësirave urbane. Studentët shprehën interesimin e tyre për të pyetur gjithçka që i intereson lidhur me temën, duke krijuar një dialog aktiv mes tyre dhe ministrit.

Ky aktivitet është pjesë e një serie ligjëratash dhe aktiviteteve edukative që fokusohen në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit. Të gjithë pjesëmarrësit po ndajnë ekspertizën e tyre profesionale, duke krijuar një mundësi të shkëlqyer për shkëmbim kulturor dhe akademik.

Grupi do të qëndrojë në Kosovë për një javë, ku do të zhvillohen ligjërata dhe aktivitete të tjera edukative që lidhen me integrimin e lumit në hapësira publike, kryesisht në Prishtinë.

Po ashtu, si pjesë e vizitës studimore dhe bashkëpunimit mes dy universiteteve, sot, ditën e mërkurë po zhvillohet një vizitë studimore në qytetin e Prizrenit, për të hulumtuar shembuj të tjerë të suksesshëm të integrimit të hapësirave publike.

Ky projekt ofron një mundësi të shkëlqyer për studentët për të mësuar dhe për të kontribuar në zhvillimin e qyteteve të tyre, duke u fokusuar në rëndësinë e një planifikimi të integruar dhe të qëndrueshëm./UBTNews/D.E./

 

 

Exit mobile version