UBT News

Ligjëratë ndërvepruese nga Bling Marketing, studentët e MBE-së diskutojnë praktikat dhe inovacionet e marketingut digjital

Në kuadër të lëndës Marketingu Digjital në Fakultetin e Menaxhimit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE) të UBT-së, u mbajt një ligjëratë tematike me Gentian Retkocerin, përfaqësues i kompanisë së njohur të marketingut Bling Marketing. Aktiviteti u organizua nga profesoresha Gonxhe Beqiri, në bashkëpunim me Zyrën për Produkte dhe Zhvillim Profesional, duke ofruar një mundësi të çmuar për studentët që të lidhin teorinë me praktikën.

Ligjërata u përqendrua në prezantimin e projektit inovativ Creative Spark for SMEs, pjesë e nismës më të gjerë për Industrinë Kreative, një bashkëpunim mes UNDP-së dhe UBT-së. Gentian Retkoceri ndau me studentët qëllimet kryesore të projektit, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së marketingut digjital në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SMEs). Në mënyrë të veçantë, ai u fokusua në mundësitë që ky projekt ofron për studentët e UBT-së, duke përfshirë punën praktike (internship) si një mënyrë për të fituar përvojë reale në projekte marketingu, angazhimin në aktivitete krijuese me qëllim zhvillimin e aftësive praktike dhe kreative të studentëve, si dhe përfitimet për karrierën, duke e parë këtë projekt si një trampolinë për të hyrë në botën profesionale të marketingut.

Ligjërata u shoqërua me një sesion të pasur pyetje-përgjigjesh, ku studentët parashtruan pyetje mbi procedurat e aplikimit për punë praktike, rëndësinë strategjike të marketingut digjital për bizneset e vogla dhe projektet konkrete të realizuara nga Bling Marketing. Gentian Retkoceri ndau përvoja të tij personale dhe sfidat e tregut të marketingut, duke inkurajuar studentët të jenë aktivë dhe të marrin iniciativa në projekte praktike. Ky aktivitet u vlerësua lart nga studentët, të cilët përfituan informacione të drejtpërdrejta nga një profesionist i fushës dhe u frymëzuan për të eksploruar mundësi të reja në botën e marketingut digjital.

Ligjërata ishte një shembull i bashkëpunimit të frytshëm midis industrisë dhe arsimit, duke forcuar vizionin e UBT-së për t’i pajisur studentët me aftësi të kërkuara në tregun e punës. Në përfundim, Gentian Retkoceri falënderoi UBT-në për bashkëpunimin dhe angazhimin në zhvillimin profesional të studentëve, ndërsa profesorja Gonxhe Beqiri theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve për të përgatitur liderët e ardhshëm në menaxhim dhe marketing./UBTNews/

 

 

Exit mobile version