Në kuadër të projektit Jean Monnet “Advancing Kosovo’s European Integration Through Learning About the EU” (AKIL-EU), studentët e UBT-së patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të rëndësishme nga Prof. Assoc. Dr. Manjola Zaçellari, e cila u mbajt më 6 dhjetor 2024.
Tema e ligjëratës ishte “Shumëgjuhësia në Bashkimin Evropian”, dhe bëri pjesë në ciklin e 15 ligjëratave të organizuara për studentët e UBT-së, të cilat janë pjesë e këtij projekti të rëndësishëm.
Gjatë ligjëratës dhe diskutimeve interaktive me studentët, Prof. Zaçellari theksoi rëndësinë e shumëgjuhësisë si një pasuri e jashtëzakonshme kulturore dhe identitare për vendet anëtare të BE-së. Ajo u shpreh për rolin e rëndësishëm të shumëgjuhësisë në ruajtjen e demokracisë, transparencës dhe llogaridhënies në nivel evropian, duke sjellë shembuj nga praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte dedikuar gjithashtu situatës gjuhësore në Kosovë, ku u theksua se diversiteti gjuhësor është një pjesë e pandashme e ADN-së së Evropës. Ky diversitet është një vlerë që duhet ruajtur dhe promovuar, për të siguruar një shoqëri më të bashkuar dhe të përparuar.
Ky aktivitet është një nga shumë iniciativat që UBT po ndërmerr për të forcuar kuptimin dhe angazhimin e studentëve në lidhje me parimet dhe praktikat e Bashkimit Evropian. Ai përforcon gjithashtu angazhimin e UBT-së për të mbështetur zhvillimin akademik të studentëve, duke i ofruar mundësi për të njohur më thellë proceset evropiane dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme./UBTNews/