UBT News

Ligjëratë mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në drejtësi nga Av. Alban Krasniqi në kuadër të Akademisë Verore të Juridikut në UBT

Më 9 korrik 2025, në ditën e tretë të Akademisë Verore të Fakultetit Juridik në UBT, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga avokati Alban Krasniqi, përfaqësues i kompanisë ligjore “Nexus Legal Services”.

Tema e ligjëratës ishte: “Hulumtimi Ligjor dhe Ndikimi i Teknologjisë”, me fokus të veçantë në rolin që po luan Inteligjenca Artificiale (IA) në praktikën bashkëkohore ligjore.

Av. Krasniqi ndau përvojën e tij profesionale në përdorimin e mjeteve digjitale për kërkime juridike, analizën e rasteve dhe menaxhimin e informacionit ligjor. Ai solli shembuj konkretë nga përvoja e tij në sektorin privat, ku Inteligjenca Artificiale po përdoret për të përshpejtuar dhe përmirësuar procesin e përgatitjes së dosjeve ligjore dhe ofrimin e shërbimeve efikase për klientët.

Gjatë ligjëratës, u diskutuan edhe aspektet etike dhe ligjore të përdorimit të IA, siç janë: transparenca e algoritmeve, ruajtja e privatësisë së të dhënave dhe përgjegjësia juridike në rast të vendimmarrjes së automatizuar.

Studentët u angazhuan në diskutime të gjalla, duke ngritur pyetje rreth përgatitjes profesionale për të punuar në një sistem ligjor gjithnjë e më të ndikuar nga teknologjia.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të Fakultetit Juridik në UBT për t’i ekspozuar studentët ndaj trendeve moderne të së drejtës dhe për t’i përgatitur ata për sfidat e së ardhmes në fushën juridike.

Exit mobile version