Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Inxhinierisë Civile dhe Infrastrukturës, UBT për nivelin Bachelor dhe Master ka planifikuar një sërë prezantimesh të specializuara nga ekspertë ndërkombëtarë në fushën e inxhinierisë.
Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Visar Krelani njoftoi se në fillim të aktiviteteve, të hënën më 3 qershor 2024, nga ora 17:30 deri në 18:30, Profesori Bruno Dal Lago do të prezantojë temën “Projektimi i Strukturave të Çelikut” nga Universiteti i Insubrias/Politecnico di Milano. Prezantimi synon të adresojë sfidat dhe teknikat e projektimit të strukturave të çelikut në përparimin e qëndrueshmërisë në raste të zjarrit, duke përfshirë materialet dhe metodologjitë më të reja në këtë fushë.
Më pas, në të njëjtën ditë, nga ora 18:30 deri në 19:30, Dr. Sc. Bledian Nela nga Universiteti “Roma La Sapienza” do të prezantojë temën “Testet Sperimentale në Laborator dhe në Lokacion për Vlerësimin e Strukturave Historike të Tullave” në kuadër të lëndës “Qëndrueshmëria e Konstruksioneve” në nivelin Master. Prezantimi synon të rishikojë dhe të diskutojë metodologjitë dhe teknikat për vlerësimin e qëndrueshmërisë së strukturave historike të tullave, duke përfshirë rezultatet e testimeve laboratorike dhe në terren.
Gjithashtu do të njoftohemi për prezantimin e ardhshëm të Profesorit Marco Breccolotti nga Universiteti i Perugias, i cili do të trajtojë temën “Risku dhe Besueshmëria në Inxhinieri Civile dhe Mjedisore”. Ky prezantim paralajmërohet të jetë një tjetër mundësi e rëndësishme për studentët për të zgjeruar kuptimin e tyre për rreziqet dhe besueshmërinë në inxhinierinë civile dhe mjedisore.
Dekani Krelani uroi suksese për të gjithë pjesëmarrësit e studentët në këtë event të rëndësishëm.
“Të rinj, profesionistë dhe akademikë, të gjithë do të gjejnë frymëzim dhe njohuri të reja për të pasuruar rrugën e tyre në botën e Inxhinierisë Civile dhe Infrastrukturës”, thekson Krelani.
Në deklaratën e tij, dekani përforcon se ky event është i rëndësishëm për të gjithë, nga studentët e rinj që po fillojnë rrugëtimin e tyre në këtë fushë, deri te profesionistët dhe akademikët që janë duke vazhduar të ndërtojnë dhe të kontribuojnë në këtë fushë. Ky aspekt thekson ndryshimin nga përfitimi individual në një përfitim kolektiv që ndikon në avancimin e njohurive dhe praktikave në inxhinieri civile./UBTNews/