UBT News

Lidhja mes stresit dhe inteligjencës, çfarë thonë shkencëtarët?

Ju ka ndodhur të ndiheni të tensionuar pak para një ngjarjeje të rëndësishme – si p.sh. një dasmë, një intervistë pune apo një provim fakulteti? Në ato momente, duket sikur trupi dhe mendja po ju “tradhtojnë”: zemra rreh më shpejt, mendimet ngatërrohen dhe ndoshta humbni edhe përqendrimin.

Secili prej nesh në një mënyrë apo tjetër përjeton ankth apo shqetësim kur përballet me situata që kanë peshë të madhe në jetën personale apo profesionale.

Nëse hapni internetin dhe kërkoni për “stresin”, me siguri do të gjeni pafund këshilla për mënyrat se si ta menaxhoni apo ta shmangni atë.

Studimet e fundit tregojnë një anë tjetër interesante: stresi nuk është gjithmonë armik. Sipas një hulumtimi kanadez, përjetimi i stresit mund të lidhet me nivele më të larta inteligjence.

Shkencëtarët kanë vërejtur se individët që kanë prirje të mendojnë thellë dhe të rimendojnë disa herë një problem, shpesh shfaqin inteligjencë më të zhvilluar verbale.

Ata kanë aftësi më të mira për të shprehur idetë, për të analizuar  gjetur zgjidhje efektive. Në një farë mënyre, procesi i “ankthit” i shtyn ata të analizojnë çdo këndvështrim të një çështjeje, duke i bërë më të aftë për të kuptuar situatat në thellësi.

Edhe pse stresi shpesh perceptohet negativisht, mund të shërbejë si një nxitës për të menduar më qartë, për të qenë më të përgatitur dhe për të marrë vendime të mençura. Sigurisht, çdo gjë ka kufijtë e saj, stresi i tepruar është i dëmshëm – por në doza të caktuara ai mund të jetë një shenjë e një mendjeje aktive dhe inteligjente. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version