Në deklaratën e tij, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Khamenei, thotë se SHBA-ja “dështoi të arrijë ndonjë rezultat domethënës” duke sulmuar objektet bërthamore të Iranit.
Sipas BBC, ai thotë se presidenti amerikan Donald Trump kishte bërë një “përshkrim jashtëzakonisht të ekzagjeruar” të asaj që kishte ndodhur, transmeton KosovaPress.
“Ishte e qartë se kishte nevojë ta bënte”, thotë Khamenei – duke shtuar se kushdo që dëgjonte mund ta kuptonte se SHBA-ja po e tepronte për të shtrembëruar të vërtetën”.
“Ne sulmuam një nga bazat kyçe të SHBA-së në rajon, dhe ata u përpoqën ta minimizonin”, thotë ai.
Ajatollah Khamenei vazhdon, duke thënë se populli iranian tregoi unitetin e tij – duke dërguar një mesazh se “populli ynë është një zë i vetëm”.
Ai thotë se Trump i bëri thirrje Iranit të “dorëzohej”, por komentet e tij ishin “shumë të mëdha për gojën e presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
“Për një vend dhe komb të madh si Irani, vetë përmendja e dorëzimit është një fyerje”, shton Khamenei.
Sipas tij, presidenti amerikan Donald Trump, pa dashje, zbuloi një të vërtetë – që amerikanët e kanë kundërshtuar Republikën Islamike të Iranit që nga fillimi.