Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka bërë një dalje të rrallë në publik, duke bërë deklarata të forta pas namazit të së premtes. Në predikimin e tij, Khamenei theksoi se “armiku ynë është një” dhe akuzoi forcat që, sipas tij, përpiqen të mbjellin përçarje mes kombeve myslimane.
“Politikat e miratuara nga armiku ynë duan të mbjellin farat e përçarjes mes myslimanëve. I njëjti armik është për palestinezët, libanezët, egjiptianët dhe irakianët. I njëjti armik është për popullin e Jemenit dhe Sirisë,” tha ai para një turme të madhe besimtarësh në xhaminë ku mbajti predikimin.
Khamenei bëri thirrje për një “lidhje të brezit të rezistencës” që do të shtrihej nga Afganistani në Jemen dhe nga Irani në Gaza e Liban, duke nënkuptuar nevojën për bashkëpunim ndërmjet kombeve myslimane.
Ai e quajti një akt legjitim sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, duke mbështetur gjithashtu sulmin e Iranit ndaj Izraelit të martën e kaluar. Këto deklarata vijnë në një kohë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku konflikti mes Iranit dhe Izraelit ka rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës./UBTNews/