Liderët e Bashkimit Evropian janë takuar në samitin special të hënën të organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, me temën, mbrojtja evropiane ku ka marr pjesë edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Komisioni Evropian thuhet se në takimin joformal ishte një rast që liderët e BE-së të diskutonin aspekte të ndryshme të së ardhmes së mbrojtjes në BE, siç janë kapacitetet kolektive, mjetet e financimit, dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë në fushën e mbrojtjes.
Tutje thuhet se ekziston një marrëveshje në rritje midis liderëve se BE-ja duhet të bëjë më shumë për të siguruar kapacitetet e veta mbrojtëse.
Gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp, së bashku me Presidentin Costa dhe kryeministrin Donald Tusk, presidentja von der Leyen theksoi vendosmërinë e saj për të gjetur mjetet për të financuar siç duhet nevojat e mbrojtjes së BE-së.
“Para së gjithash kemi nevojë për më shumë fonde publike. Unë jam e gatshme të hulumtoj dhe do të përdor gamën e plotë të fleksibiliteteve që kemi në Paktin e ri të Stabilitetit dhe Rritjes për të lejuar një rritje të konsiderueshme në shpenzimet e mbrojtjes. Për më tepër, pjesa e dytë do të ishte që ne po punojmë me BEI për të rritur fleksibilitetin e praktikave të kreditimit. Dhe, natyrisht, kemi nevojë për më shumë financime private, ndaj duhet të dialogojmë me sektorin privat bankar, në mënyrë që ai të modernizojë praktikat e tij të kreditimit”, tha presidentja.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e shfrytëzimit të potencialit të prokurimit të përbashkët për të përfituar nga ekonomitë e shkallës dhe rritjes së ndërveprimit të pajisjeve mbrojtëse të Evropës.
Për më tepër, në njoftim thuhet se liderët diskutuan lidhjen midis konkurrencës dhe mbrojtjes, dhe efektin pozitiv të investimeve të mbrojtjes në rritjen e konkurrencës së Evropës.
Presidentja von der Leyen, e cila prezantoi javën e kaluar Compass-in e Komisionit për konkurrencë, tha se BE-ja duhet të thjeshtojë legjislacionin e saj, të përdorë investimet në mbrojtje për të krijuar gjithashtu njohuri dhe vende pune të mira në Evropë, dhe të nxisë inovacionin evropian në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit me Ukrainën.
“Është e mahnitshme të shohësh se sa shpejt është ndërtuar industria ukrainase, për shembull me drone më të lirë, më të shpejtë dhe më inteligjentë. Pra, industria jonë e mbrojtjes mund të mësojë shumë nga industria e mbrojtjes ukrainase që ka përvojë të përditshme në fushëbetejë”, tha ajo.
Komisioni do të prezantojë Letrën e Bardhë mbi të Ardhmen e Mbrojtjes Evropiane deri në mars, e cila do të jetë baza për një diskutim zyrtar midis liderëve të BE-së gjatë takimit të tyre të rregullt të Këshillit Evropian në qershor.
Në njoftimin e Komisionit Evropian thuhet tutje se ka një angazhim të fortë nga BE-ja për të forcuar marrëdhëniet e saj me partnerët strategjikë. Në këtë kuptim, liderët mirëpritën Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
“Për marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, presidentja von der Leyen tha se BE-ja është e gatshme për dialog të fortë dhe konstruktiv, duke i dhënë përparësi angazhimit të hershëm. Njëkohësisht, ajo i pranoi sfidat e mundshme dhe tha se BE-ja është e gatshme në këtë drejtim”, përfundon njoftimi.