Mesazhet e mirënjohjes dhe mbështetjes për presidentin e SHBA-së, Joe Biden, vërshuan pas njoftimit të tij të dielën se po tërhiqet nga gara presidenciale dhe se e mbështetë zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidaten e ardhshme demokrate.
Ky është momenti i dytë sizmik në politikën amerikane në pak më shumë se një javë, pas atentatit kundër ish-presidentit Donald Trump në një tubim në Pensilvani më 13 korrik, që nxiti po ashtu reagimin e liderëve ndërkombëtarë.
Presioni ishte rritur mbi Bidenin për t’u tërhequr nga gara që nga performanca e tij katastrofike në debatin presidencial në CNN muajin e kaluar. Të dielën ai konfirmoi se do të mbetej president deri në fund të mandatit.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili u takua me Bidenit këtë muaj në Washington, ka thënë se ai respekton vendimin e presidentit dhe mezi pret të punojë së bashku për pjesën e mbetur të mandatit të tij.
“Unë e di se, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij të jashtëzakonshme, ai do të ketë marrë vendimin e tij bazuar në atë që ai beson se është më e mira për popullin amerikan”, ka shkruar Starmer në X.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka falënderuar Bidenin se ishte një “mik i vërtetë” për vendin e tij.
“Ai është një njeri i madh dhe gjithçka që bën udhëhiqet nga dashuria e tij për vendin e tij”, ka shkruar ai në X.
Në një konferencë shtypi, kryeministri australian Anthony Albanese ka thënë se Bideni “edhe një herë nuk e ka vënë veten në radhë të parë, por ka marrë në konsideratën atë që ai beson se është në interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç ka bërë gjatë gjithë jetës së tij publike”.
“Presidenti Biden ia ka kushtuar jetën shërbimit publik dhe kjo është diçka që meriton shumë respekt”, ka thënë ndërkaq kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon në X.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky falënderoi Bidenin për “mbështetjen e tij të palëkundur” në luftën e vendit të tij kundër Rusisë, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me armë, ndihmë ushtarake dhe mbështetje diplomatike, pavarësisht reagimit të republikanëve.
“Shumë vendime të forta janë marrë vitet e fundit dhe ato do të mbahen mend si hapa të guximshëm të ndërmarrë nga presidenti Biden në përgjigje të kohërave sfiduese. Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për udhëheqjen e presidentit Biden”, ka shkruar ai në X.
Në Izrael, presidenti Isaac Herzog e përshkroi Bidenin si një “aleat të vërtetë të popullit hebre”, ndërsa ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ka thënë se “mbështetja e palëkundur e presidentit të SHBA-së, veçanërisht gjatë luftës, ka qenë e paçmueshme”.
Bideni ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të luftës së Izraelit në Gaza që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor. Por ai është përplasur vazhdimisht me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu për ndihmën humanitare dhe numrin në rritje të viktimave civile të konfliktit.
Nuk ka ende ndonjë reagim nga Netanyahu, i cili pritet të vizitojë Washingtonin këtë javë.
Udhëheqës të tjerë lavdëruan Bidenin për marrjen e një vendimi të vështirë për t’u larguar nga gara.
“Miku im Joe Biden ka arritur shumë: për vendin e tij, për Evropën, për botën”, ka shkruar kancelari gjerman Olaf Scholz në X.
“Vendimi i tij për të mos kandiduar meriton respekt”, ka shtuar ai.
Duke folur në një tubim të dielën, presidenti venezuelian Nicolas Maduro ka thënë se Bideni mori vendimin “korrekt” dhe vuri familjen dhe shëndetin e tij në radhë të parë. Ai i uroi atij “shëndet dhe jetë të gjatë”.
Kryeministri polak, Donald Tusk ka shkruar në X se Bideni kishte marrë vendime të vështira “falë të cilave Polonia, Amerika dhe bota janë më të sigurta dhe demokracia më të forta”.
“Unë e di që jeni nxitur nga të njëjtat motive kur shpallët vendimin tuaj përfundimtar”, ka thënë Tusk.
Udhëheqësit në Korenë e Jugut dhe Japoni thanë se nuk do të komentonin për politikën e brendshme në SHBA, por theksuan nevojën për të vazhduar punën me Shtëpinë e Bardhë. Të dy vendet kanë një traktat të ndërsjellë të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara dhe Bideni ishte një nxitës kryesor i thellimit të lidhjeve midis aleatëve në Azi, pjesërisht për të kundërshtuar vendosmërinë në rritje të Kinës.
“Unë e pranoj se vendimi i presidentit Biden bazohet në dëshirën e tij për të marrë vendimin më të mirë të mundshëm politik”, është shprehur kryeministri japonez Fumio Kishida.
“Aleanca Japoni-SHBA është gurthemeli i sigurisë diplomatike të kombit tonë dhe ne do të vazhdojmë ta monitorojmë nga afër”, ka shtuar ai.
Zyra e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol ka thënë se do të “vazhdojë të punojë ngushtë me SHBA-në për të zhvilluar më tej aleancën globale strategjike gjithëpërfshirëse Kore e Jugut-SHBA”.
Deri më tani nuk ka ende ndonjë reagim nga udhëheqësi kinez, Xi Jinping.
Por “tërheqja e Bidenit nga zgjedhjet” ishte tema kryesore herët të hënën në Weibo, platforma sociale e ngjashme me X të Kinës.
Disa përdorues kinezë të mediave sociale spekuluan me entuziazëm për mundësinë që një grua të bëhej presidente e SHBA-së, ndërsa të tjerë thanë se besojnë se Trumpi do të fitojë pa marrë parasysh kandidatin demokrat.