Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001 në SHBA, ku këtë ditë e kanë kujtuar liderët shtetëror e partiak të Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani tha se 11 shtatori është ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur.
“Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike. Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive. Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka kujtuar viktimat që humbën jetën nga ky sulm terrorist.
“23 vite më parë, dhembja u kthye në forcë, dhe e gjithë bota e qytetëruar u ngrit në mbrojtje të lirisë dhe të drejtësisë. Përtej fatkeqësisë dhe goditjes, gjunjëzimi nuk ishte asnjëherë opsion e nuk do të jetë asnjëherë. Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë përkrah popullit mik amerikan. Asnjëherë nuk do të harrojmë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka dhënë mesazh në 23 vjetorin e sulmit mbi Kullat Binjake.
“Kjo tragjedi, nuk ishte thjesht një akt dhune, por një sulm mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës që ndajnë vendet demokratike anembanë botës. Ky akt terrorist dhe barbar ishte sulm direkt jo vetëm për ShBA-të, por edhe gjithë botën perëndimore; ishte sulm mbi vlerat demokratike perëndimore. Sot, kur kanë kaluar mbi dy dekada nga momenti i ndodhjes së këtij akti të shëmtuar, kujtojmë dhe solidarizohemi me familjarët e viktimave të 11 shtatorit, të cilët humbën jetën pafajësish nga mania radikale e një sulmi terrorist. Kosova do të mbetet gjithmonë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbrojtur lirinë, paqen dhe demokracinë si vlera të përbashkëta të dy popujve tanë”, thuhet në mesazhin e Abdixhikut.
Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se 11 shtatori i vitit 2001, ndryshoi përgjithmonë kursin e globit.
“Në 23-vjetorin e 9/11, ashtu si çdo ditë, jemi pranë miqve amerikanë, pranë botës demokratike, duke kujtuar me respekt viktimat e asaj dite. Miqësia e përhershme me Amerikën është e pathyeshme dhe ajo nuk mund të prishet nga askush, do të qëndrojë gjithmonë e palëkundur. Në rresht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi ai në Facebook.