Në takimin e radhës të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Osmani ka thënë se fokusi gjatë vitit 2023 e sidomos në pjesën e dytë të këtij viti ka qenë ruajtja dhe garantimi i sigurisë në vend për shkak të agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit.
“Është fundi i një viti aspak të lehtë, në të cilin u përballëm me sfida të fushave të ndryshme, nga fusha e sundimit të ligjit e deri tek dinamika kërkuese në rrafshin e ekonomisë por edhe zhvillime jashtëzakonisht të rënda e të dhimbshme në rrafshin global. Por, ky ishte edhe vit me sukseset e veta, natyrisht duke filluar me faktin që që nga 1 janari më në fund qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Shëngen. Është një e arritur e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht me të arriturat në fushën e sundimit të ligjit. Por, njëkohësisht e shfrytëzoj këtë mundësi që t’u bëjë thirrje gjithë qytetarëve që të respektojnë të gjitha rregullat që janë pjesë e sistemit të liberalizimit të vizave. Në anën tjetër, performanca pozitive e Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare nga fusha e sundimit të ligjit tek liria e mediave, konkurrueshmëria në fushën e teknologjisë dhe informacionit, përzgjedhja e Kosovës për lojërat mesdhetare, ftesa për Kosovën për herë të parë në nivel të kreut të shtetit dhe shumë të arritura të tjera deri tek aplikimi në Këshillin e Evropës dhe kalimi i fazës së parë me një sukses që nuk e kemi parë së paku në dekadën e fundit lidhur me integrimin ndërkombëtar të Kosovës”, tha ajo.
Osmani tha se fokusi gjatë këtij viti ka qenë tek ruajtja dhe garantimi i sigurisë në vend për shkak sfidave të vazhdueshme nga agresori serb.
“Fokusi gjatë këtij viti ka qenë tek ruajtja dhe garantimi i sigurisë në vend për shkak të problemeve të vazhdueshmeve dhe sfidat e vazhdueshme që paraqet agresioni i fqinjit tonë verior, Serbisë. Viti përpara natyrisht kërkon koordinim të vazhdueshëm institucional dhe veprime të mëtejme konkrete me qëllim të arritjes së objektivave dhe shënimit të sukseseve në fushat e ndryshme qe ua kemi borxh qytetarëve tanë”, potencoi Osmani.