Lewis Capaldi foli për diferencat mes artisteve femra dhe meshkujve në industrinë e muzikës. Në një intervistë për podcastin Creativo, 28-vjeçari theksoi se gratë përballen me një “shkop më të lartë matës” dhe analizë më të ashpër në krahasim me kolegët burra.
Duke diskutuar mbi rikthimin e muzikës pop, këngëtari veçoi emra si Chappell Roan, Sabrina Carpenter dhe Olivia Rodrigo, duke thënë se “janë gratë ato që po e udhëheqin këtë valë të re dhe po krijojnë muzikën më interesante të momentit”.
Capaldi shtoi se performancat e artisteve femra janë më të menduara dhe më të kompletuara, ndërsa shumë burra, përfshirë edhe atë, mjaftohen me të dalin në skenë me xhinse e një bluzë të thjeshtë.
“Një artiste femër nuk do të lejohej të këndonte në skenë me një T-shirt dhe pa bërë kujdes në detaje,” tha ai, duke e cilësuar këtë si të padrejtë.
Ai përmendi se ka përjashtime si Harry Styles, Benson Boone apo Conan Gray, që sjellin më shumë teatralitet në performancat e tyre, por theksoi se përgjithësisht gratë përballen me pritshmëri më të mëdha.
Pas një pauze dyvjeçare për shkak të ankthit e sindromës Tourette, Capaldi u rikthye duke surprizuar publikun në Glastonbury 2025.
“Është kaq mirë të jem sërish këtu,” tha ai me emocion, duke shtuar se donte të fliste pak për të mos shpërthyer në lot.