Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë regjistruar sot si deputetë në Kuvendin e Kosovës, kanë deklaruar se janë të bindur që ky subjekt i ka numrat për formimin e qeverisë.
Hekuran Murati, i cili është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se sa më shumë numra të kenë do të ishte më mirë.
“Me votat e deputetëve të Kuvendit… Për të gjitha këto është çështja e subjektit, sekretariatit të subjektit… Patjetër që po [i kemi numrat e qeverisë]. 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë, sa ma mirë… me deputetët e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Hekuran Murati.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.
Por, Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se formimi i Qeverisë do të bëhet pa partitë opozitare.
Pas regjistrimit si deputet ai u shpreh i bindur se do të arrijnë të formojnë Qeverinë me 63 vota.
“Po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK-në edhe kryeministër do të jetë Kurti dhe kryeparlamentar Glauk Konjufca… Ashtu me vota, 63 vota”, deklaroi ai.
Ndërsa ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk është përgjigjur sa i përket ftesës për partitë opozitare.