Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar letrën e dërguar nga Serbia në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Për këtë letër, Haradinaj tha se është veprim për “shkak të gabimeve të Kosovës”.
Sipas Haradinajt, fajtor për këtë situatë është edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka bërë gabime, duke i quajtur si “minusa” në aspektin ndërkombëtar.
“Prej gabimeve të Kurtit edhe Serbia shkon në një hap më tutje pra e na krijon edhe më shumë minusa t’i quaj kështu sepse një letër të tillë drejtuar NATO me siguri Serbia ka përgatitur një narrativë. Nuk vjen letra e para, ata me siguri gjatë gjithë kohës pra kanë dërguar raporte, informata gjoja se Kosova vepron kundër komunitetit serb apo zhvillimeve tjera. Pra është ajo që e kemi paralajmëruar me kohë dhe thellimi i humbjeve për Kosovën në planin ndërkombëtar”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se në NATO gjendet një numër i konsiderueshëm i vendeve të cilët nuk e njohin Kosovën si Republikë dhe janë në mbështetje të Serbisë.
“Jo ne nuk jemi tani për tani çështje për të diskutuar sepse nuk ka një proces ta quaj ashtu kontraktual po p.sh. ka vende skeptike jo njohëse të NATO-s, do ta shfrytëzojnë çdo herë edhe pozicionin e Serbisë, sikurse e dini për anëtarësim për NATO e po ashtu ka rëndësi marrëdhëniet ndër fqinjësore sikurse për anëtarësime dhe për të tjera”, ka thënë ai.
Ai këto deklarata i bëri para fillimit të seancës së jashtëzakonshme, që ka në rend të ditës votimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare.