Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kërkuar heqjen urgjente dhe pa kushte të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Ai argumenton se vendi ka përmbushur çdo standard demokratik dhe ka bërë sakrifica të mëdha në përpjekjet e tij për integrim evropian.
Hamza rikujton se Kosova ka zhvilluar tri palë zgjedhje brenda një viti, të cilat, sipas tij, kanë qenë “plotësisht demokratike, transparente dhe të qeta”, pavarësisht ngërçit të mëvonshëm politik për formimin e qeverisë. Ai thotë se këto procese dëshmojnë “pjekurinë politike” të vendit dhe se vazhdimi i masave të BE-së është bërë “i paarsyeshëm dhe i padrejtë”.
Në letrën e tij, kryetari i PDK-së i kujton institucioneve evropiane edhe përgjegjësitë e mëdha që ka marrë përsipër Kosova në arenën ndërkombëtare, përfshirë krijimin e Dhomave të Specializuara. Sipas Hamzës, ky ishte një detyrim që u vendos në mënyrë të njëanshme mbi Kosovën dhe që, siç thekson ai, “është shndërruar në një mekanizëm me karakter monoetnik”, duke theksuar se deri tani kanë qenë të gjykuar vetëm drejtues të brezit themelues të shtetit.
Hamza thekson se Kosova ka paguar “një çmim tejet të lartë” për lirinë, shtetndërtimin dhe konsolidimin e një republike demokratike që respekton angazhimet ndërkombëtare. Prandaj, ai kërkon nga BE-ja që ta trajtojë Kosovën me të njëjtat standarde si vendet e tjera të rajonit dhe të mos e privojë më nga “mjetet dhe mbështetja e domosdoshme” për rrugëtimin drejt BE-së dhe NATO-s.
Në përmbyllje, Hamza lëshon një thirrje të hapur politike: “Kërkoj heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha masave të BE-së ndaj Kosovës”, duke theksuar se një vendim i tillë do të përbënte një mesazh të qartë për qytetarët se përpjekjet e tyre demokratike po vlerësohen dhe mbështeten.
