Kanali i pavarur rus, TV Rain, është mbyllur në Letoni pas më pak se pesë muajsh transmetim.
Transmetuesi, i cili në rusisht njihet si Dozhd, është akuzuar për shfaqjen e përmbajtjeve që mbështesin pushtimin e Ukrainës nga Moska. Akuzat e tilla TV Rain i ka quajtur “të padrejta dhe absurde”.
Ndërprerja e transmetimit është urdhëruar më 8 dhjetor. TV Rain njoftoi se do t’i bindet urdhrit, por do të vazhdojë transmetimin në YouTube, ku shumica e audiencës shikon përmbajtjen e tij. Megjithatë, nuk do të mund të transmetohet më në televizionin kabllor brenda Letonisë, e cila ka një popullsi të madhe rusishtfolëse.
Këshilli Kombëtar i Mediave Elektronike (NEPLP), rregullatori i medias në Letoni, tha se vendimi për të hequr licencën është marrë “për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”.
Në fillim të këtij muaji, rregullatori e gjobiti kanalin me 10 mijë € (8,613; 10,488 dollarë) për shfaqjen e një harte në të cilën Krimea tregohej si pjesë e territorit të Rusisë./UBTNews/