UBT News

Lëshuan çeqe pa mbulesë dhe keqpërdorën kartela të bankës u ngritet aktakuzë

Dy të dyshuarve iu është ngritur aktakuzë pasi që dyshohet se kanë lëshuar çeqe pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorën kartela të bankës apo të kreditit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit në vazhdimësi me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve duke iu vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave të tyre bankare, të cilat i kishin përdorur për të bërë blerje në dyqan.

“Prishtinë, 9 gusht 2022– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve A.S. dhe E.B., në drejtim të veprës penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, i pandehuri A.S., në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në subjektin afarist “NEPTUN”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve duke iu vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave të tyre bankare, të cilat i kishin përdorur për të bërë blerje në dyqanin e lartcekur, e i cili pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, ku më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro, çka të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm material në shumën prej 6,124.1€. Me këtë i pandehuri në vazhdimësi e ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 dhe me nenin 77 të KPRK-së. Ndërsa, të pandehurit A.S. dhe E.B., në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë keqpërdorur kartelën e bankës së një të dëmtuare, në atë mënyrë që i pandehuri A.B., në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në lokalin e lartcekur ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, respektivisht të dëmtuarës, duke ia vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelës bankare të cilën e kishte përdorur për të bërë blerje në dyqanin e lartcekur, e i cili pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, përmes e-mail adresave dhe llogari të tjera, të cilat ia kishte siguruar i pandehuri E.B., në këmbim të një shume të hollash/përqindje, ku pastaj i pandehuri A.S., kriptovalutat e krijuara në këto llogari më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro çka të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 1.236.07€. Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Exit mobile version