Nuk është një sekret që lëngjet e gazuara mund të jenë të dëmshme për mëlçinë. Përveç rritjes së rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, prishjes së dhëmbëve dhe mbipeshes, këto pije ndikojnë negativisht edhe në funksionimin e mëlçisë.
“Mëlçia ndihmon në metabolizimin e karbohidrateve, proteinave dhe yndyrnave që konsumojmë, dhe më pas i ruan ato si glukogjen, vitamina dhe minerale për përdorim të mëvonshëm”, thotë dietologia me bazë në New York, Carrie Gans.
“Ajo gjithashtu ndihmon në heqjen e toksinave nga gjaku dhe zvogëlon dëmtimin e trupit”, shton ajo.
Studimet tregojnë se konsumimi i tepruar i sheqerit mund ta mbingarkojë mëlçinë, duke e kthyer në yndyrë. Sipas Klinikës Mayo, simptomat e sëmundjes së mëlçisë yndyrore jo-alkoolike përfshijnë lodhje dhe dhimbje, e mund të çojnë në cirozë dhe dështim të mëlçisë.
Konsumimi i madh i pijeve të gazuara shkakton edhe rezistencë ndaj insulinës. Një studim tregoi se njerëzit që pinin katër pije me sheqer në ditë për tre javë, në total 40-80 gram sheqer, raportuan rritje të rezistencës ndaj insulinës. Kjo gjithashtu rrit rrezikun për diabetin e tipit 2.
Pijet e gazuara janë të dëmshme jo vetëm për shkak të sheqerit, por edhe për shkak të përmbajtjes së lartë të shurupit të misrit me fruktozë.
Një studim mbi minjtë zbuloi se konsumimi i gjatë i këtij shurupi shkaktoi dëmtime në mëlçi e përkeqësim të barrierës së murit të zorrëve. /A.Z/UBT News/
