Është përfshirë nga zjarri një ndërtesë në lagjen “Tophane” të Prishtinës. Aty u lënduan dy persona, një prej tyre fëmijë.
Komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, ka thënë se informatën e kanë marrë rreth orës 12:00 dhe menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë lokalizuar zjarrin.
“Sipas informatave që kemi marrë pasi kanë ardh zjarrfikësit, lajmi është marrë në 12:10 minuta menjëherë kanë dalë prej dy pikave, prej qendrës dhe Kodrës së Trimave dhe e kanë gjet kështu si është. Ata si kanë ardh këtu kanë shpëtu disa njerëz që kanë qenë brenda. Sipas informatave të ndihmës së shpejt se një fëmijë ka qenë i lënduar dhe një ka probleme me frymëmarrje…e dimë që ata dy persona i kanë nxjerrë jashtë zjarrfikësit dhe policia bashkë, janë të lënduar pak”, tha ai.
Ai tregoi se zjarri është vënë nënkontroll dhe nuk ka rrezik.
“Zjarri është nënkontroll dhe nuk ka kurrfarë rreziku dhe vetë e kemi verifikuar mos ka njerëz brenda por nuk kemi hasur. Nuk e dimë shkaktarët. Inspektorët e parashohin prej çka. Zjarri ka filluar poshtë dhe prej poshtë përmes liftit ka shkuar lartë”, tregoi Zeka.
Për shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë rreth 15 zjarrfikës.