UBT News

​Lekaj: Buxheti i propozuar nga qeveria është ofendues

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka deklaruar se buxheti për vitin 2025, i propozuar nga qeveria, nuk përmban projekte të mëdha kapitale. Të njëjtin, ai e ka konsideruar ofendues.

Në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet buxheti, Lekaj ka thënë se ministrat nuk kanë pse të krenohen për këtë mandat qeverisës.

“Ky buxhet e injoron krizën energjetike që po përjetojmë. Në vend që të përqendrohet në investime strategjike, për stabilizimin e furnizimit dhe zvogëlimin e varësisë nga importi, shohim vetëm shpenzime të mëdha operative që nuk prodhojnë asgjë konkrete për të ardhmen energjetike të vendit. Duke injoruar nevojën për investime në burime të reja dhe të qëndrueshme, kjo qeveri po vazhdon të luajë me sigurinë energjetike dhe ne mund të shohim që do të përshkallëzohet furnizimi me energji elektrike në vend. Së dyti nuk mund të injorojmë strukturimet e mëdha që janë bërë për projekte kyçe infrastrukturore. Qytetarët meritojnë rrugë të sigurta dhe shkolla moderne. Janë rritur shpenzimet për pozita administrative, duke krijuar më shumë vende të panevojshme për militantët e partisë dhe duke thelluar nepotizmin”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, buxheti i propozuar nga qeveria është ofendues.

“Jemi dëshmitarë të rritjes së shpenzimeve të panevojshme për zyrtarët kur qytetarët po përballen me inflacion të lartë, ndërkohë familjet e Kosovës përpiqen të sigurojnë ushqimin bazik, qeveria vazhdon në luks. Kjo është mungesë e thellë e ndjeshmërisë ndaj popullit…Ky buxhet nuk përmban asnjë projekt të madh kapital që do të krenohej shteti dhe qytetarët e Kosovës. I ka lënë veteranët me 204 euro pagë mujore, i ka lënë qytetarët me pagë minimale 320 euro. Ky buxhet është ofendues…Ky buxhet është edhe gënjeshtër për rininë e Kosovës se nuk përfshin ndërtimin e 4 mijë shtëpive për çiftet e reja që ka qenë premtim i qeverisë. Ky buxhet është fyerje e shpresës për familjet e të zhdukurve të Kosovës”, nënvizoi Lekaj.

Ai ka thënë se kjo qeveri ka lënë shumë projekte të papërfunduara në infrastrukturë.

“Po kthehem tek projektet në infrastrukturë, e kemi Batushën, profesor kokën, Ardian Gola, Mimoza Kusari-Lila, dhe kemi ministren, zëvendës ministra, dhe paramendojeni që katër vite ku e kanë lënë rrugën Gjakovë-Dollc. Dhe çfarë bëjnë për tre vite tjera të ardhshme, kanë ndarë 15 milionë euro, do të thotë qytetarët e Gjakovës mbesin pa infrastrukturë dhe thuajse të izoluar nga kjo qeveri…Keni ardhur me një shkëlqim dhe sot po ju shoh të zbehur shumë, sepse asnjë ministër s’ka me çka të krenohet për vitin 2025, apo për këtë mandat katër vjeçar”, ka shtuar Lekaj.

Exit mobile version