Lidhja Demokratike e Kosovës sot në 41-vjetorin e vrasjes së heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, ka deklaruar se vrasja e tyre ka qenë goditje e madhe për mbarë kombin tonë.
LDK ka theksuar se heronjtë e kombit, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, ishin shndërruar në pikënisje e referencë për secilin veprimar.
“Më 17 janar të vitit 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë u qëlluan për vdekje tre kolosët e lëvizjes për liri e demokraci, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Vrasja e tyre ishte goditje e madhe jo vetëm për lëvizjen shqiptare në mërgim, mirëpo për mbarë kombin tonë. Jeta e tyre u shua padrejtësisht e në mënyrë barbare nga agjenturat e shërbimit sekret serb. Rruga dhe ideali i tre shokve të pandarë, më shumë se mision për t’i shërbyer atdheut, ishte përkushtim që jetën e tyre ta falin për lirinë e popullit shqiptar. Heronjtë e kombit, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, u shndërruan në pikënisje e referencë për secilin veprimar që do e vazhdonte aktivitetin për çlirimim nga okupatori; për liri, demokraci dhe pavarësi. Sot, në 41 vjetorin e rënies së tyre, ne nderojmë dhe kujtojmë veprën e tyre sublime. I përjetshëm kujtimi për Jusuf, Bardhosh e Kadri Zekës!”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Të tre heronjtë, siç ka shtuar LDK janë dhe mbesin frymëzim për gjenerata të tëra se si duhet vepruar e punuar për atdheun.
Më 17 janar të vitit 1982 janë vrarë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Ndonëse, kanë kaluar 41 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.