Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së.
Sipas njoftimit të partisë, vendimi është marrë pas përfundimit të procedurave statutare për verifikimin e kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit.
LDK-ja ka bërë të ditur se Sekretariati i Përgjithshëm ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara nga delegatët dhe ka konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës së delegatëve, i nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
“Pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit, Kryetari i LDK-së, në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm është caktuar të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, duke filluar nga ora 18:00.
“Pa asnjë vonesë pas përfundimit të procesit të verifikimit, Kryetari i LDK-së ka vendosur që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, me fillim nga ora 18:00”, thuhet në njoftim.
Nga LDK-ja kanë theksuar se procesi do të zhvillohet në përputhje me Statutin e partisë, duke garantuar, sipas tyre, transparencë dhe respektim të vullnetit të delegatëve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që i gjithë ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me Statutin e partisë, me parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve të Kuvendit”, thuhet në komunikatë.
Vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet tjera organizative, sipas partisë, do t’u bëhen të ditura delegatëve në përputhje me procedurat e përcaktuara./A.K/
