Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Besian Mustafa bëri të ditur se nuk është arritur ende ndonjë marrëveshje për kandidat për postin e presidentit.
Ai theksoi se zgjedhjet e parakohshme, të cilat mund të pasojnë nëse presidenti apo presidentja e re nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, janë “të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme”. Megjithatë, Mustafa nënvizoi se pa përfshirjen e pushtetit nuk mund të ecet përpara: “Pushteti ka 66 ulëse, dhe pa ta nuk bëhet kjo punë”.
Sipas tij, deri tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare që ka arritur të mbledhë minimumi 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa mbetet e paqartë se si do të zhvillohet situata në ditët në vijim. “E kam të pamundur të përgjigjem se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Mund të ketë sërish takim. Ne jemi të hapur, me shpresën që do të arrijmë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Mustafa.
Këto zhvillime vijnë pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku u diskutua për zgjedhjen e presidentit të ri, por pa u arritur konsensus.
Kurti e përshkroi takimin si të zhvilluar në një “atmosferë konstruktive”, duke shtuar se çdo risi do t’i komunikohet publikut. Ndërkaq, Abdixhiku, pas takimit të 2 marsit, ishte shprehur se “s’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus”, duke theksuar se imponimet nuk përbëjnë zgjidhje për LDK-në.
Ai kishte paralajmëruar se një garë me disa kandidatë është “procedurë e paraparë për të dështuar” dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Nga ana tjetër, Kurti ka deklaruar se për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota, pa përmendur kandidatë konkretë.
Afati kushtetues për përfundimin e procesit të zgjedhjes së presidentit po afron, duke shtuar presionin mbi subjektet politike për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
