Pas publikimit të disa mesazheve mes koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihalit, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, rreth përfshirjes së Martin Berishajt në dallavere me rrymë, ka reaguar LDK-ja. Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, në një konferencë për media, deklaroi se kjo Qeveri pas braktisjes së ushtarëve të FSK-së, ka braktisur vlerat dhe besimin e qytetarëve, ku kishin premtuar se do të luftojnë korrupsionin dhe do të bëjnë “qeveri më duar të pastra”.
Sipas tij, Qeveria aktuale nuk e ka ndërmend të luftojë korrupsionin, e duart e tyre i kanë “gjithçka përveçse të pastra”.
“Kjo Qeveri kishte premtuar se do ta bëjë Dubravën 12 kat, e në fakt si erdhën në pushtet morën në mbrojte mafinë energjetike, në krye me Martinin e Nagipin. Ajo çka po shohim, është se korrupsionin nuk e kanë ndërmend ta luftojnë, e duart i kanë gjithçka përveçse të pastra. Dëshmitë dhe raportimit të sotme tregojnë çartë për përfshirjen direkte të instancave më të larta të Lëvizjes Vetëvendosje, në aferat korruptive të Martin Berishaj dhe Nagip Krasniqit”, ka thënë ai.
Azemi, ka shtuar se Qeveria ka mbrojtur njeriun e korruptuar duke qenë plotësisht në dijeni për vërtetësinë e akuzave ndaj Berishajt.
“Mos të harrojmë që kjo qeveri e mbrojti me ngulëm Martin Berishaj, gjatë raportimeve të shumta për aferat e tij korruptive në tregun e energjisë. Po bindemi sërish se kjo qeveri e ka mbrojtur njeriun e korruptuar, duke qenë plotësisht në dijeni për vërtetësinë e akuzave. A mundet sot të besoj dikush se Kryeministri nuk ka qenë në dijeni për këtë që po ndodh, për korrupsionin që sillet përreth tij çdo ditë? Po shihet çartë se diçka e tillë çdo ditë e më shumë po është vështirë e besueshme”, ka shtuar ai.
Ai ka ritheksuar se keqpërdorimet më të mëdha në krizën energjetike ishin në KEK, duke vazhduar edhe me tenderët një burimore të cilët sipas tij, shkuan në vlera multi-milionëshe.