Ish-kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Podujevës në zgjedhjet e fundit lokale atje, Nexhmi Rudari, ka thënë se ai së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe disa të tjerë kanë mbajtur një takim ku është biseduar për çështjen e kandidatit të kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Rudari ka thënë se emri i Ekrem Hysenit është përfolur si një ndër emrat i cili do të kandidojë për të parin e Podujevës nga radhët e LDK-së.
“Ekrem Hyseni është përfolur në këtë takim si emër për kandidat për Kryetar të Komunës së Podujeves për zgjedhjet e ardhshme lokale”, është shprehur Rudari për KlanKosova.tv.
Tutje, Rudari thotë se e gjithë dega e LDK-së në Podujevë do ta përkrahë Ekrem Hysenin nëse ai e merr miratimin e kryesisë për të qenë kandidat për kreun e Podujevës.
Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës ka folur edhe për qëndrimin e kryetarit të tanishëm të degës së LDK-së në Podujevë, duke thënë Agim Veliu është shprehur i gatshëm ta përkrahë çdo kandidat që e merr pëlqimin e kryesisë për të garuar në zgjedhjet lokale si kandidat i LDK-së.
“Qëndrimi i Agim Veliut ishte se ai do ta përkrahë qoftë Ekrem Hysenin apo cilindo kandidat që e merr pëlqimin e kryesisë për të garuar në zgjedhje”, ka thënë Rudari, njofton KlanKosova.tv.