Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rrahjes së sotme në Kuvendin e Kosovës.
LDK ka potencuar se pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës.
“Nuk e kanë pasur asnjëherë – as në të shkuarën – as tani. Sot, ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës. Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përpalsjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj”, është bërë e ditur në komunikatën për media.
LDK ka shtuar se do të vazhdojë,të mbrojë dhe ushtrojë vlerat bazike demokratike e shtetare “në çdo sjellje të saj, brenda sallës së Kuvendit të Republikës dhe jashta saj.”.
Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.