Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se kanë nisur me mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës.
Në një konferencë për medie, Abdixhiku tha se do të kërkojnë edhe shkarkimin e bordit të ZRrE-së për të cilët thotë se janë treguar të paaftë në menaxhimin e kësaj situate.
“Në vitin e parë të qeverisë ai po i jep ccmimet më të shtrenjta qytetarëve tanë. Sot në Kuvend pushteti refuzoi edhe të diskutojë mbi këtë temë. Dhe ky refuzim është shenjë që pushteti që i ka krejt nuk duron as debatin e as argumentin si mjet. Meqë refuzoi diskutimin si mjet në këtë temë ne refuzuam pjesëmarrjen në seancë dhe trajtimin e temave të tjera që përballë krizës së energjisë janë tërësisht të parëndësishme. Ne kemi nisur mbledhjen e 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme me qëllim që Kuvendi të dalë me qëndrim që e refuzon këtë vendim qeveritar dhe të ZRrE-së. Do të kërkojmë edhe shkarkimin e bordit të ZRrE-së të vendosur nga Qeveria Kurti që përgjatë gjithë kësaj kohe kanë treguar jokompetencë të plotë, derisa do të kërkojmë edhe mbajtjen përgjegjës të zyrtarëve qeveritarë që në kohën kur vendet e rajonit merreshin me krizë kanë injoruar krizën”, tha Abdixhiku.