Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, ka deklaruar se ky subjekt politik është kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, por janë pro shkurtimit të fushatës në pesë ditë apo që të mos mbahet fare.
Haziri pas këtij takimi për medie tha se pret që më 17 tetor të mbahen zgjedhjet lokale dhe të largohet tendenca për shkurtim të këtyre zgjedhjeve në të kundërtën paraqet një precedent të madh për të ardhmen.
“Duke vlerësuar si të rëndësishëm shëndetin publik dhe situatën e pandemisë në njërin anë dhe duke e parë se kjo qeveri po dështon çdo ditë në menaxhim, ne kemi propozuar edhe më herët dhe jemi të gatshëm që fushatën ta shkurtojmë në pesë ditë të vetme, dhe ftojmë partitë politike të ndërtojmë një kulturë konsensusi dhe nëse është më e nevojshme ta ulim në pikën zero, sepse më e rëndësishme është jeta e një qytetari sesa gjithçka tjetër… Presim që 17 tetori të jetë një ditë e bardhë në të cilën qytetarët të kenë në mundësi të lirë të votohet, por duke respektuar masat pandemike siç rekomandon IKSHP-ja dhe KQZ zbatimin e detyrave zgjedhore, për t’u larguar nga logjika dhe tendenca e shkurtimit të këtyre zgjedhjeve”, tha ai.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se nëse vendoset që të shtyhen zgjedhjet lokale, atëherë LDK do të ndërmarrë të gjitha veprimet kushtetuese në mbrojtje të 17 tetorit si datë e caktuar për mbajtjen e tyre.
“Nuk ka asnjë arsye për t’u shtyrë zgjedhjet e 17 tetorit. Ka arsye për të zbatuar rekomandimet e IKSHP-së, ka arsye për të shkurtuar fushatën, ka arsye të kthehet fushata deri në pikën zero, por nuk ka asnjë lloj arsye as motivi për shtyrjen e zgjedhjeve. Në të kundërtën LDK do të merr të gjitha veprimet kushtetuese në funksion të mbrojtjes së 17 tetorit si datë e përcaktuar për zgjedhjet lokale në Kosovë”, tha Haziri.