Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë qeverisjes aktuale çmimet në Kosovës janë rritur përplot 25%.
Duke cituar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, LDK në postimin e radhës “Faktet para propagandës”, ka thënë se rritja e çmimeve enorme është rritja më e madhe e çmimeve në historinë e Kosovës.
“Ky fakt dëshmon se Qeveria nuk është kujdesur për mirëqenien e qytetarëve, siç kanë potencuar se kanë bërë një gjë të tillë, sepse të dhënat zyrtare e hedhin poshtë propagandën e tyre. A e dini se sa janë rritur produktet bazike, gjatë këtyre 3 viteve? 42%. Do të thotë, çmimet e ushqimeve që na duhen çdo ditë në tryezën tonë siç janë: buka, mielli, vaji, kripa, sheqeri, qumështi e vezët janë rritur përplot 42%, që nga koha e marrjes së mandatit të kësaj Qeverie”, thuhet në postimin e LDK-së në Facebook.
Përveç rritjes të çmimeve të produkteve bazike, LDK ka thënë se qytetari i Kosovës gjatë tri viteve të fundit me qeverisjen aktuale, është varfëruar për një të katërtën e pasurisë së poseduar.
“Qeveria ka kontribuar që jeta e qytetarit, të vështirësohet e varfërohet, andaj edhe është përgjegjëse për varfërinë”, thuhet më tej në postim.
Sipas LDK-së, pushteti me propagandën e tyre ka folur edhe për inflacionin rrejshëm.
“Faktet tregojnë qartazi se Kosova ka inflacion enorm. Fshehja e rritjes së inflacionit, tregon se Qeveria ka përdorur rritjen e numrave buxhetor dje qarkullimin biznesor si sukses. Por, propaganda nuk pranohet lehtë nga kushdo. Faktet, hedhin poshtë tendencën për të manipuluar dhe shfaqin të vërtetën e varfërisë së qytetarit dhe rritjen e çmimeve, në produktet bazike. Qeveri e propagandës”, përfundon postimi i LDK-së.
LDK ka njoftuar se edhe në ditët në vazhdim do të postoj posterë të tillë që demantojnë propagandën qeveritare.