UBT News

LDK kërkon hetim nga Prokuroria për pretendimet për presion ndaj një delegati

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas publikimit të pamjeve, për të cilat pretendohet se paraqesin ushtrim presioni nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës ndaj një delegati të kësaj partie, duke dënuar ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të LDK-së.

Përmes një reagimi publik, LDK vlerëson se pamjet e publikuara, në të cilat pretendohet se një delegat është kërcënuar përmes vendit të punës së një anëtari të familjes së tij, paraqesin sjellje të papranueshme nga zyrtarët publikë dhe janë në kundërshtim me vlerat, parimet dhe Statutin e partisë, si dhe me ligjin.

“LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojnë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh”, thuhet në reagim.

LDK njofton se organet kompetente të partisë do të iniciojnë menjëherë procedurat statutare dhe disiplinore ndaj anëtarëve të saj që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite.

“Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale”, thuhet në reagim

Në fund të reagimit, LDK thekson se nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve demokratike dhe dinjitetin e anëtarëve të saj, duke shtuar se “Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë.”/Kosovapress/A.K/

 

Exit mobile version